Rritet fluksi në kufi: Pritje deri në një orë në Dheu i Bardhë, Merdarë dhe Muçibabë

Pikat kufitare të Kosovës po përballen me rritje të ndjeshme të fluksit të qytetarëve, veçanërisht të mërgimtarëve që po vijnë apo largohen nga vendi në prag të gushtit.
Sipas të dhënave më të fundit, në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, pritjet për hyrje në Kosovë janë deri në një orë, me një kolonë automjetesh që arrin rreth 800 metra. Në dalje nga kjo pikë, situata paraqitet më e qetë, me pritje deri në 20 minuta.
Në Merdarë, pritjet për hyrje janë më të shkurtra – deri në 15 minuta, ndërsa dalja mbetet më e ngarkuar me pritje deri në 50 minuta. Ngjashëm paraqitet situata edhe në pikën kufitare të Muçibabës, ku raportohen pritje deri në një orë.
Ndërkohë, pikat tjera kufitare, sipas autoriteteve, janë më të qeta, me pritje të zakonshme që variojnë nga 3 deri në 5 minuta.
Autoritetet kufitare u bëjnë thirrje qytetarëve të planifikojnë udhëtimet e tyre me kohë dhe të shfrytëzojnë pikat më pak të ngarkuara për të shmangur pritjet e gjata.