Rriten rastet e mashtrimeve përmes ndihmës financiare, Policia paralajmëron qytetarët dhe bizneset

Policia e Kosovës ka njoftuar për një shtim të ankesave nga qytetarë dhe biznese lidhur me raste mashtrimesh që kryhen në emër të ndihmës financiare.
Sipas njoftimit, persona të panjohur kontaktojnë qytetarët përmes aplikacioneve Viber dhe WhatsApp, duke përdorur numra telefoni nga vendet fqinje, si Bosnja dhe Hercegovina apo Mali i Zi. Ata paraqiten si përfaqësues që kërkojnë ndihmë financiare për persona të tretë dhe udhëzojnë dërgimin e mjeteve përmes shërbimeve si Western Union dhe MoneyGram.
Policia thekson se mjetet e dërguara nuk përdoren për ndihmë, por për përfitime personale të mashtruesve.
Autoritetet bëjnë apel te qytetarët dhe bizneset që të jenë të kujdesshëm ndaj kërkesave të tilla dhe të mos dërgojnë mjete para se të verifikojnë burimin dhe qëllimin e ndihmës. Policia paralajmëron se bëhet fjalë për skema mashtruese me qëllim përfitimi personal.