Lajme

Rriten rastet e demencës me fillim të hershëm: Ekspertët paralajmërojnë për shenjat që shpesh neglizhohen

Ndryshimet në të folur dhe shqetësimet në shikim janë ndër shenjat e para – por shpesh të neglizhuara – të demencës me fillim të hershëm, një sëmundje që po prek gjithnjë e më shumë të rinj, madje edhe ata në të tridhjetat, paralajmërojnë ekspertët.

Demenca është një gjendje që dëmton funksionet njohëse, veçanërisht kujtesën, dhe zakonisht lidhet me moshën e tretë. Megjithatë, sipas ekspertëve britanikë, rastet e ashtuquajtura “demenca me fillim të hershëm” — kur diagnoza vendoset para moshës 65-vjeçare — janë në rritje në Mbretërinë e Bashkuar.

Mjekët theksojnë se simptomat tek të rinjtë shpesh ndryshojnë nga ato klasike që shihen te të moshuarit, ndaj dhe sëmundja mbetet e padiagnostikuar për një kohë të gjatë.

Në një analizë për platformën The Conversation, Molly Murray, eksperte në Universitetin e Perëndimit të Skocisë, thekson se për shumë pacientë, simptomat e para lidhen më shumë me shikimin dhe koordinimin, sesa me harresën. “Sipas kërkimeve, rreth një e treta e pacientëve me Alzheimer me fillim të hershëm përjetojnë fillimisht probleme vizuale dhe koordinuese,” shkruan ajo.

Sipas Mail Online, këto shqetësime mund të shfaqen si vështirësi në lexim, në orientim apo në detyra të përditshme siç është veshja. Megjithatë, problemet nuk lidhen me dëmtimin fizik të syrit, por me mënyrën se si truri përpunon informacionin vizual – çka i bën këto simptoma neurologjike dhe jo okulistike.

Ekspertët kërkojnë më shumë vetëdijësim dhe vlerësim të hershëm të këtyre shenjave, në mënyrë që diagnoza dhe ndërhyrja të ndodhin sa më herët të jetë e mundur.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button