Rriten çmimet në Kosovë: Qytetarët në vështirësi ekonomike, bizneset fajësojnë rrymën

Çmimet e produkteve ushqimore dhe mallrave të tjera në Kosovë po vazhdojnë të rriten, duke rënduar ndjeshëm gjendjen ekonomike të qytetarëve. Bizneset, ndërkohë, arsyetohen se ngritja e çmimeve është pasojë direkte e shtrenjtimit të energjisë elektrike.
Qytetarët ankohen se përballja me rritjen e çmimeve është bërë gjithnjë e më e vështirë. “Një numër i madh i qytetarëve jetojnë me ndihma sociale. Qysh do ta paguajnë ata rrymën? Nuk kanë mundësi ta paguajnë,” thotë një qytetar, duke shtuar se edhe pensionistët përballen me sfida të mëdha ekonomike. Një tjetër thekson: “Vetëm buka mos të shtrenjtohet dhe artikujt elementarë si qumështi, vaji, vajza dhe sheqeri.”
Sipas Odes Ekonomike të Kosovës, rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndikuar në të gjitha hallkat e zinxhirit të prodhimit dhe distribuimit të produkteve. “Qytetari i Kosovës po ngarkohet dy herë – njëherë përmes rritjes së faturës së energjisë dhe pastaj përmes produkteve më të shtrenjta në treg,” deklaroi Lulzim Rafuna, drejtor i OEK.
Sipas të dhënave, çmime më të larta janë regjistruar për bukën, qumështin, perimet, mishin, vajin, kafën, djathin, vezët, çajin dhe ujin. Po ashtu, janë rritur edhe çmimet e shërbimeve hoteliere, ambulatore, si dhe të mallrave dhe shërbimeve për mirëmbajtjen e ekonomive shtëpiake.
Ekspertët parashikojnë se vala e ngritjes së çmimeve do të vazhdojë edhe në muajt në vijim, duke shtuar presionin mbi buxhetet familjare dhe duke rritur kërkesat për masa lehtësuese nga ana e institucioneve.