Kosova

Rriten ankesat dhe suspendimet ndaj Policisë së Kosovës – Alarm për imazhin dhe kushtet e punës

Në dy raste të ndara, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e katër zyrtarëve policorë nën dyshimet për shkelje disiplinore. Një zyrtar në Ferizaj po hetohet për “lëndim të lehtë trupor” ndaj një të mituri, ndërsa tre të tjerë në Prishtinë janë nën hetim për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Sipas të dhënave zyrtare, vetëm gjatë muajit korrik IPK ka pranuar 57 ankesa ndaj pjesëtarëve të Policisë, ndërkohë që deri në qershor numri total i ankesave ka kapur shifrën mbi 1100. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe janë arrestuar 21 zyrtarë policorë dhe janë dhënë 49 rekomandime për suspendim. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, ku ishin dhënë 39 suspendime dhe 3 rekomandime për transfer, shifrat e këtij viti paraqesin një rritje të dukshme.

Këto zhvillime ndodhin në një kohë kur Policia e Kosovës është përballur me disa incidente që kanë ngritur shqetësime për integritetin dhe imazhin e saj. Rasti më i rëndë mbetet ai i vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën pas një konfrontimi me policinë në Lipjan, në mesnatën e 6 dhe 7 korrikut. Si pasojë, një rreshter dhe katër zyrtarë të tjerë policorë u arrestuan, ndërsa udhëheqësi rajonal i policisë në Lipjan, Argjend Gashi, dha dorëheqje.

Nënkoloneli në pension, Refki Morina, thotë se këto janë raste individuale dhe nuk duhet të përdoren për të përgjithësuar punën e gjithë Policisë. “Imazhi i Policisë së Kosovës nuk mund të zbehet për shkak të disa rasteve të izoluara. Përgjegjësitë janë individuale dhe për çdo rast ekzistojnë organet kompetente që vendosin”, deklaroi ai.

Megjithatë, ish-zëvendësministri i Brendshëm, Valdet Hoxha, e sheh situatën ndryshe. Sipas tij, nëse nuk ndërmerren masa serioze reformuese, imazhi i Policisë do të vazhdojë të degradojë. Ai apelon për përmirësim të kushteve të punës, reformim të moduleve trajnuese dhe forcim të komunikimit me qytetarët.

Ekspertë të sigurisë ndërkohë shprehin shqetësim për faktin se periudha e trajnimit të policëve të rinj është shkurtuar nga 6 në 3 muaj, për shkak të nevojave urgjente në veri të vendit. Sipas tyre, kjo mund të ndikojë në cilësinë e përgatitjes së zyrtarëve të rinj.

Aktualisht Policia e Kosovës ka rreth 10 mijë pjesëtarë. Gjatë vitit 2024, 96 zyrtarë kanë dhënë dorëheqje dhe 22 janë larguar nga puna. Shkak kryesor për largimet përmenden pagat e ulëta dhe kushtet e punës. Ndërsa në vitin 2025, deri më tani, 45 zyrtarë kanë dhënë dorëheqje, përfshirë pesë staf civil.

Situata aktuale po shihet si alarm për domosdoshmërinë e një reforme të thellë në sistemin policor dhe përkushtim më të madh institucional në ruajtjen e standardeve dhe besimit të publikut.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button