
Përsëritja e precedentit të Rrogozhinës, ku kutia e votave të burgut përcaktoi fituesin për drejtimin e Bashkisë, mund të ndodhë edhe në zgjedhjet e 11 majit. Në komisionin rregullator, anëtarja e tij Helga Vukaj ngriti shqetësimin se janë 1271 votues, të cilët nuk kanë vendbanim qarkun ku ndodhet institucioni i vuajtjes së dënimit. Për këtë arsye ajo kërkoi nga KQZ të marrë masa, që të burgosurit që nuk janë të regjistruar në qarkun ku ndodhet IEVP, të mos votojnë për atë qark.
Në zgjedhjete 11 majit, në vendin tonë rrezikohet të përsëritet precedent i zgjedhjeve të vitit 2023, ku në Bashkinë e Rrogozhinës, kandidatin fitues e përcaktoi kutia e votave nga burgu. Në mbledhjen e datës 8 maj, anëtarja e Komisionit Rregullator, Helga Vukaj, deklaroi se janë të paktën 1271 të burgosur të cilët vendbanimin e kanë në qark tjetër dhe jo në atë ku ndodhet institucioni i vuajtjes së dënimit. Sipas Znj.Vukaj, këta të dënuar nuk duhet të votojnë për qarkun ku gjendet institucioni që ata vuajnë dënimin apo qëndrojnë në paraburgim.
Më tej, Helga Vukaj i bëri thirrje Kryekomisionerit Ilirjan Celibashi, që të marrë masa për këtë çështje.
Në vitin 2023, fituesin e zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë Rrogozhinë e vendosi pikërisht kutia e votave të burgut. Ndonëse kandidati i opozitës Shkëlqim Hoxha fitoi me votë qytetare përballë Edison Memollës, kutia me votat e burgut përcaktoi rezultatin, pasi rezultoi se në shumicë dërrmuese, votat e burgut ishin hedhur për kandidatin socialist. Ndaj anëtarja e komisionit rregullator në KQZ, kërkon që të shmanget përsëritja e të njëjtit skenar edhe në zgjedhjet e 11 majit.