Kosova

Rrezikohet procesi zgjedhor i 12 tetorit – mungesa e buxhetit vë në alarm KQZ-në

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është përballur me mungesë të theksuar të mjeteve financiare për organizimin e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, duke vënë në pikëpyetje zhvillimin normal të procesit zgjedhor. Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, ka paralajmëruar se buxheti aktual prej mbi 9 milionë eurosh nuk mjafton për të mbuluar të gjitha aktivitetet e domosdoshme zgjedhore.

Në një komunikim zyrtar, të cilin e ka parë KOHA, Buzhala ka njoftuar kryetarin dhe anëtarët e KQZ-së për pasojat e mundshme që mund të sjellë vonesa në ndarjen e buxhetit shtesë prej mbi 6 milionë eurosh, kërkuar nga Qeveria e Kosovës.

“Buxheti aktual i aprovuar nuk mundëson autorizimin e të gjitha aktiviteteve të domosdoshme të prokurimit për materiale dhe shërbime të tjera. Edhe nëse kërkesa buxhetore shtesë aprovohet, alokimi i tyre do të marrë kohë, me ç’rast mund të vonohen edhe afatet normale për prokurimin e materialeve dhe shërbimeve zgjedhore”, ka bërë të ditur Buzhala.

Në mungesë të mjeteve të nevojshme, Sekretariati ka qenë i detyruar të vendosë prioritete dhe të autorizojë vetëm disa nga aktivitetet më të rëndësishme, si shtypja e listave përfundimtare të votuesve dhe fletëvotimeve.

“Çdo vonesë në implementimin e këtyre aktiviteteve mund të rrezikojë seriozisht mbarëvajtjen e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e Buzhalës, i cili ka bazuar veprimet e tij në vlerësimin e mundshëm të miratimit të kërkesës për buxhet shtesë nga Qeveria.

Pavarësisht paralajmërimeve dhe kërkesave të përsëritura, Qeveria e Kosovës ende nuk ka dhënë një përgjigje për ndarjen e fondeve shtesë. Nga KQZ-ja nuk kanë dhënë sqarime për qëndrimin e Qeverisë, ndërsa kanë bërë të ditur se në mbledhjen e radhës, drejtori i Sekretariatit do të raportojë për situatën e krijuar.

“Mbledhja do të jetë e hapur për media dhe do t’ju informojmë pasi të caktohet data për mbajtjen e saj”, ka deklaruar zëdhënësja Valmirë Elezaj për KOHËN.

Në mesin e aktiviteteve të rrezikuara nga mungesa e buxhetit janë: procesi i votimit jashtë Kosovës, publikimi i rezultateve përfundimtare si dhe ofrimi i transparencës gjatë gjithë zhvillimit të zgjedhjeve.

Me vetëm tre muaj deri te data e zgjedhjeve, KQZ-ja mbetet në pritje të një vendimi nga Qeveria që do të mundësonte zhbllokimin e procesit dhe zbatimin me kohë të të gjitha fazave të nevojshme për zhvillimin e një procesi të rregullt dhe të besueshëm zgjedhor.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button