
Ish-lojtari i NFL, Kevin Uer, ka pranuar në mesjavë para gjykatës së ka vrarë ish-të dashurën e tij, Tejlor Pomaski, në vitin 2021.
Pranimi i këtij krimi ka bërë që për atë të kërkohen 30 vite burg.
Në gjyqin ndaj ish-lojtarit, tashmë 44-vjeçar, hetuesit i bënë të qartë se duhej të pranonte krimin e gjente një akord, përndryshe rrezikonte dënimin me burgim të përjetshëm nëse seanca do të vazhdonte me një gjyq të rregullt.
Ai u konsultua me avokatin e tij dhe vetëm 20 minuta më vonë, pranoi vrasjen.
Tejlor ishte parë për herë të fundit në një festë më 25 prill 2021 në Teksas.
Ajo u shpall në kërkim për muaj me radhë dhe vetëm në dhjetorin e vitit 2021, kur u gjet një kufomë në një kanal, u identifikua duke u konfirmuar zyrtarisht në prillin e vitit 2022 se bëhej fjalë për 29-vjeçaren e zhdukur.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Uer “e ka goditur me thikë, e ka goditur me një objekt të fortë, i ka marrë frymën dhe pastaj ka djegur trupin e saj”.
Ai do të vuajë dënimin për vrasjen e Pomaski, paralelisht me atë për zotërim substancash të palejuara dhe armëve.
Vetëm pak ditë para zhdukjes së gruas, ai kishte dalë me kusht nga burgu, pasi kishte qenë pas hekurave për zotërim kokaine dhe mbajtjen e armëve në mënyrë të paligjshme, përfshirë edhe një AK-47.
Uer ishte për dy vite pjesë e NFL. Ai ka luajtur për skuadrat e Uashington dhe San Francisko, për një total prej 16 ndeshjesh.