Ronaldo shënon dy gola dhe bëhet golashënuesi më i mirë në histori të kualifikimeve të Botërorit

Portugalia e lëshoi mundësinë që të sigurohej zyrtarisht në “Botërorin 2026”, pasi barazoi mbrëmë me Hungarinë, 2:2, në “Alvalade”. Pavarësisht zhgënjimit të tifozëve, Cristiano Ronaldo arriti një tjetër rekord historik në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Me dy golat e shënuar, sulmuesi i Al Nassr e çoi në 948 numrin e golave në karrierë, duke u bërë golashënuesi më i mirë në histori të kualifikimeve të Kupës së Botës, rekord që deri mbrëmë e mbante Carlos Ruiz.
“Jemi gjithnjë e më afër objektivit tonë. Forca, Portugali!”, shkroi 40-vjeçari në rrjetet sociale, duke qetësuar tifozët e zhgënjyer.
Ronaldo, i cili mbetet lojtari më i rëndësishëm i kombëtares portugeze, u shpreh krenar për arritjen e tij:
“Nuk është sekret që ta përfaqësoj vendin tim do të thotë shumë për mua dhe jam mjaft krenar për këtë arritje unike për Portugalinë. Falënderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar në këtë rrugëtim. Do të shihemi në nëntor për ta mbyllur fazën kualifikuese të Botërorit.”
Përkundër barazimit, Portugalia mbetet shumë pranë kualifikimit në Kampionatin Botëror 2026, që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.



