Sport

Ronaldo “Fenomeni” në qendër të kritikave: Tifozët e Valladolid-it kërkojnë largimin e tij pas sjelljes skandaloze

Ronaldo Nazário, legjenda e futbollit botëror dhe pronari aktual i klubit spanjoll Real Valladolid, është përfshirë në një tjetër polemikë që ka tronditur tifozët e klubit. Pas një humbjeje të fundit në kampionat, “Fenomeni” është filmuar i dehur në dalje nga një restorant luksoz në Madrid, duke ndezur zemërimin e mbështetësve të skuadrës, të cilët tashmë janë të zhgënjyer nga drejtimi i tij.

Pamjet, të cilat u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, u interpretuan si mungesë respekti ndaj situatës kritike të ekipit, i cili zyrtarisht ka rënë nga La Liga. Situata ka përshkallëzuar tensionet mes Ronaldos dhe tifozëve, veçanërisht pas protestës së pazakontë në ndeshjen ndaj Barcelonës, ku grupet e organizuara hodhën në fushë 60 mijë kartëmonedha false me fytyrën e tij dhe mesazhin: “Shko në shtëpi dhe shite klubin”. Gjest që mori vëmendje edhe në arenën ndërkombëtare, me Frenkie de Jong që u pa duke qeshur teksa mblidhte disa prej tyre në stol.

Për më tepër, Ronaldo ka munguar në stadiumin ‘José Zorrilla’ që prej 19 gushtit të kaluar. Në vend të kësaj, ai preferoi të ndjekë nga afër finalen e turneut të tenisit Masters 1000 në Madrid, mes Casper Ruud dhe Jack Draper.

Sipas mediave spanjolle, shitja e klubit është drejt finalizimit dhe largimi i Ronaldos nga drejtimi i Real Valladolid-it mund të ndodhë në ditët në vijim. Megjithatë, për shumë tifozë, dëmi tashmë është bërë dhe largimi i tij shihet si e vetmja rrugë për një kapitull të ri për klubin.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button