Kosova

Rikthehet sëmundja “Gjuha e kaltër” në Kosovë – Dy vatra të konfirmuara në Prishtinë dhe Lipjan

Sëmundja virale “gjuha e kaltër”, e cila prek delet dhe dhitë, është rikthyer në Kosovë. Dy rastet e para janë konfirmuar në fermat e fshatrave Marec të Prishtinës dhe Brusë të Lipjanit. Lajmi është bërë i ditur nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), e cila ka theksuar se sëmundja nuk përbën rrezik për njerëzit, por mund të jetë fatale për kafshët.

Sadik Heta, drejtor në Drejtorinë e Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në AUV, deklaroi për Radio Kosovën se për momentin nuk është raportuar asnjë rast i ngordhjes së kafshëve në zonat e prekura.

“Kemi dy vatra të shpërthimit të sëmundjes ‘gjuha e kaltër’, në Komunën e Prishtinës dhe të Lipjanit, saktësisht në fshatrat Marec dhe Brusë. Për momentin nuk kemi dëme ekonomike, por prezenca e virusit është konfirmuar”, tha Heta.

Sëmundja transmetohet përmes pickimit të mushkonjave dhe nuk bartet te njerëzit, por sipas Hetës, nuk rekomandohet konsumimi i mishit nga kafshë të dyshuara si të infektuara.

Për të parandaluar përhapjen e virusit, AUV ka vendosur masa të rrepta:

Vendosjen e fermave në karantinë

Ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së kafshëve brenda dhe jashtë zonave të prekura

Fillimin e dezinfektimit për luftimin e mushkonjave bartëse të virusit

Zhvillimin e një hulumtimi epidemiologjik për të identifikuar përmasat e përhapjes

Agjencia u bën thirrje blegtorëve që të raportojnë menjëherë rastet e dyshimta dhe të sigurojnë groposjen e kafshëve të ngordhura në mënyrë të sigurt. Kujtojmë se kjo sëmundje ishte e pranishme edhe në vitin 2015 në vend.

AUV garanton se po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për të kufizuar përhapjen dhe për të mbrojtur bagëtinë në vend.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button