Richard Grenell viziton Ballkanin, lavdëron Donald Trump për shpëtimin e Kennedy Center

Emisari i SHBA-së për misione të veçanta, Richard Grenell, i cili po udhëheq përkohësisht Qendrën Kulturore Kombëtare Amerikane (Kennedy Center) në Uashington, ka qëndruar për disa ditë në shtete të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Pas kthimit në Shtetet e Bashkuara, Grenell publikoi disa fotografi me presidentin Donald Trump në Kennedy Center, ku vlerësoi përpjekjet e tij për të shpëtuar institucionin. “Donald Trump e ka shpëtuar Kennedy Center-in, i cili nuk po shkon mirë financiarisht dhe fizikisht. Presidenti Trump e ka bindur Kongresin të alokojë 257 milionë dollarë për ta shpëtuar. Ajo do të kthehet në ditët e saj të lavdisë. Sot, ai erdhi për të na dhënë ide se si më së miri t’i shfrytëzojmë paratë. Askush nuk është më i mirë në ndërtim dhe rindërtim sesa Donald J. Trump”, shkruan Grenell.
Në një intervistë për Klan Kosova, Grenell vlerësoi marrëdhëniet e ngushta me Kosovën dhe nënvizoi rëndësinë e qeverisjes që e promovon investimin mbi politikën. “Populli i Kosovës është partner i jashtëzakonshëm i SHBA-së. Duhet të kemi një qeveri që është e gatshme për të bërë investime, jo politikë. Ka shumë politikë dhe nuk janë të interesuar të bëjnë gjëra të nevojshme për të sjellë rritje ekonomike. Jo vetëm biznesmenët amerikanë, por edhe ata perëndimorë e thonë të njëjtën”, tha Grenell.