Lajme

Rezultatet e diasporës nga Greqia për Tiranën ngjallin dyshime: PS dominon, PD në nivel minimal

Rezultatet paraprake nga votimi i diasporës shqiptare që jeton në Greqi, për qarkun e Tiranës, po ngjallin shqetësime të thella dhe dyshime serioze mbi integritetin e procesit zgjedhor.

Në kutinë e parë të votave të hapura, Partia Socialiste ka marrë 250 vota, ndërsa Partia Demokratike vetëm 43. E njëjta prirje u konstatua edhe në kutinë e dytë, ku PS ka marrë sërish 240-250 vota, ndërsa PD është ndalur në 40-43 vota. Përqindja e mbështetjes për PD-në qëndron konstantisht në rreth 14%, ndërsa pjesa dërrmuese shkon për PS-në.

Kjo ngjashmëri e pazakontë mes kutive, me shifra thuajse identike, ka ngritur pikëpyetje të shumta mes ekspertëve të zgjedhjeve dhe aktorëve politikë. Sipas tyre, mund të kemi të bëjmë me një skenar të mundshëm të manipulimit të rezultatit përmes një mekanizmi të sofistikuar të mbushjes së kutive.

Burime pranë opozitës i kanë cilësuar këto rezultate si “indikatorë alarmantë të një inxhinierie elektorale të mirëorganizuar” dhe kanë kërkuar transparencë të plotë dhe hetim të menjëhershëm të procesit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk ka dalë ende me një qëndrim zyrtar, ndërsa pritet hapja e kutive të tjera për të parë nëse ky trend do të vazhdojë. Situata mbetet e tensionuar, me kërkesa të shumta për verifikim të çdo vote të ardhur nga diaspora.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button