Reshje dhe ulje temperaturash gjatë ditës së sotme në Kosovë

Sot pritet një ditë me kushte të paqëndrueshme atmosferike në Kosovë. Sipas MeteoKosova, reshjet do të nisin që në orët e para të mëngjesit dhe do të zgjasin deri në mëngjes, lokalisht në formë rrebeshesh intensive.
Pas kësaj faze, dita do të vijojë me vranësira të herëpashershme dhe intervale me diell. Megjithatë, reshjet nuk do të mungojnë plotësisht, pasi pritet që ato të mbesin të izoluara dhe të karakterit lokal, të shoqëruara me shkarkesa rrufesh.
Era do të fryjë nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore, shpeshherë me intensitet të shtuar, me shpejtësi që mund të arrijë deri në 42 kilometra në orë.
Ndërkohë, temperaturat do të vazhdojnë trendin rënës. Ato minimale do të lëvizin nga 15 deri në 17°C, ndërsa maksimalet parashikohen të jenë nga 22 deri në 27°C.
Ky ndryshim i kushteve meteorologjike vjen pas një periudhe më të ngrohtë dhe stabile, duke sjellë një freskim të dukshëm në të gjithë territorin.