Lajme

Rënie e ndjesisë ekonomike në prill, ndikohet nga industria dhe konsumatorët

Treguesi i Ndjesisë Ekonomike (TNE) pësoi rënie në muajin prill, sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë. Krahasuar me muajin mars, TNE u ul me 0.8 pikë, ndonëse mbetet ende 7.4 pikë mbi mesataren afatgjatë.

Rënia u diktua kryesisht nga përkeqësimi i besimit në sektorin e industrisë dhe, në masë më të vogël, nga rënia e besimit konsumator. Ndërkohë, sektori i ndërtimit, shërbimeve dhe tregtisë regjistruan përmirësime të lehta në treguesit e tyre.

Industria në rënie të theksuar

Treguesi i besimit në industri ra me 6.7 pikë përqindje, duke thelluar vlerat negative nën mesataren historike. Ky zhvillim u ndikua nga vlerësimet pesimiste për kontratat porositëse, veçanërisht për ato të eksportit. Pavarësisht rënies, bizneset e këtij sektori presin një rritje të punësimit dhe një ulje të çmimeve në të ardhmen.

Ndërtimi vazhdon rritjen

Besimi në sektorin e ndërtimit u rrit për të dytin muaj radhazi, me 1.3 pikë përqindje. Ky tregues qëndron tashmë rreth 17 pikë përqindje mbi mesataren afatgjatë, i mbështetur nga rritja e vlerësimeve për porositë aktuale. Pritjet për punësimin dhe çmimet janë gjithashtu në rritje.

Shërbimet dhe tregtia me rritje të lehtë

Në sektorin e shërbimeve, treguesi i besimit u rrit me 0.5 pikë përqindje, duke qëndruar rreth 14 pikë mbi mesataren historike. Rritja u nxit nga përmirësimi i aktivitetit aktual dhe kërkesës. Edhe në këtë sektor, bizneset presin përmirësim në punësim dhe çmime.

Tregtia gjithashtu shënoi rritje me 0.8 pikë përqindje, falë pritjeve optimiste për punësimin. Niveli aktual i treguesit është rreth 7 pikë përqindje mbi mesataren historike, ndërsa pritjet për çmime dhe ecurinë e biznesit janë përmirësuar.

Rënie e besimit konsumator

Treguesi i besimit konsumator ra me 1.3 pikë përqindje në prill, edhe pse qëndron ende mbi mesataren historike me 2 pikë. Rënia u ndikuar nga përkeqësimi i pritjeve për situatën ekonomike dhe financiare, si dhe nga vlerësimet për blerjet aktuale në shuma të mëdha. Pritjet për punësimin dhe çmimet në të ardhmen janë gjithashtu lehtësisht më pesimiste.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button