Rënie e ndjeshme e numrit të nxënësve shqiptarë në Luginën e Preshevës

Numri i nxënësve shqiptarë në shkollat fillore të Luginës së Preshevës ka shënuar rënie të ndjeshme gjatë pesë viteve të fundit.
Sipas kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi, nga viti shkollor 2020/21 deri në 2025/26, numri i nxënësve është ulur nga 4,059 në 3,650, që nënkupton 409 nxënës më pak, ose rreth 10 për qind rënie.
Rexhepi theksoi se ky trend është pasojë e emigrimit, natalitetit të ulët, kushteve të vështira ekonomike, mosnjohjes së diplomave dhe pasivizimit të adresave, duke paralajmëruar se situata po e rrezikon seriozisht të ardhmen e arsimit në gjuhën shqipe në Luginë.
“Ky rrezik që na kanoset, i cili prek drejtpërdrejt brezat e ardhshëm të nxënësve dhe gjeneratat e reja shqiptare në Luginë, duhet të na shtyjë drejt një qasje më të guximshme, më të përbashkët dhe më të vendosur për mbrojtjen dhe zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe”, ka shkruar ai në Facebook.