KryesoreLajme

Rënia e besimit në ekonomi: Industria dhe qytetarët pesimistë, optimizëm në ndërtim, tregti dhe shërbime

Shqiptarët dhe industria nuk janë optimistë për situatën ekonomike. Biznesi thotë se ndikim negativ po jep rënia e porosive, ndërsa qytetarët perceptojnë përkeqësim të gjendjes financiare dhe kanë hequr dorë nga blerjet e mëdha. Shërbimet, tregtia e ndërtimi, mbeten optimistë. Besimi në ekonomi ka rënë për herë të dytë brenda vitit. Pas janarit, edhe në muajin prill besimi i bizneseve dhe i qytetarëve për situatën ekonomike ra me 0.8% në raport me marsin. Banka e Shqipërisë thotë se ndikim negativ në perceptim kanë dhënë sektori i industrisë por edhe pesimizmi i konsumatorëve.

Sektori i industrisë që lidhet me prodhimin ka tkurrur besimin me 6.7% pasi nuk kanë kontrata të reja porosish, sidomos nga shtete të thuaja. Për shkak të kërkesës së ulët për prodhimet e industrisë shqiptare vlerësimet e këtij sektori janë në rënie të fortë në raport me muajit e kaluar.

Edhe qytetarët janë pesimistë për ekonominë në përgjithësi, thonë se gjendja financiare është në rënie dhe se janë tërhequr nga blerjet e mëdha, ndërsa optimistë janë për sa i takon çmimeve dhe punësimit. Kurse tre sektorët e tjerë ndërtimi, shërbimet e tregtia janë në rritje krahasuar me muajin mars. Besimi në sektorin e ndërtimit është rritur me 1.3% muajin e kaluar, pasi janë shtuar porositë në aktivitetin e tyre, është përmirësuar punësimi, si dhe presin shtrenjtim të mëtejshëm të çmimeve.

Po për të njëjtat arsye, edhe sektori i shërbimeve është 0.5% më optimist se në mars, ndërsa pritshmëritë për të ardhmen në këtë fushë ku rol kryesor ka turizmi janë optimiste dhe presin rritje çmimesh. Kurse tregtia duket se po përshtatet me kursin e ri të këmbimit, pasi në muajin e shkuar u rrit me 0.8% ndikuar prej shtimit të aktivitetit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button