Remitancat dhe investimet rriten, borxhi i jashtëm i Kosovës mbi 4.4 miliardë euro

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka publikuar statistikat e bilancit të pagesave, duke theksuar rritje të remitancave dhe investimeve direkte. Remitancat deri në korrik 2025 arritën vlerën 785.06 milionë euro, me një rritje prej 4.15% krahasuar me vitin 2024. Sipas të dhënave preliminare, për tetë muajt e parë të vitit 2025 remitancat kapin 928.48 milionë euro, ku 41.02% kanë ardhur përmes IFJB, 17.19% përmes bankave komerciale dhe 41.79% përmes kanaleve të tjera.
Investimet direkte në Kosovë deri në fund të korrikut 2025 arritën 540.94 milionë euro, duke shënuar rritje prej 24.24%, ndërsa investimet jashtë vendit ishin 212.78 milionë euro.
Borxhi i jashtëm bruto në fund të tremujorit të dytë të vitit 2025 arriti 4.43 miliardë euro, me rritje 218.19 milionë euro krahasuar me tremujorin paraprak. Pjesa kryesore e rritjes vinte nga sektori privat (133.13 milionë euro), ndërsa borxhi publik u rrit për 85.05 milionë euro. Borxhi publik përbën 1.02 miliardë euro, nga të cilat 857.81 milionë janë borxh i jashtëm i qeverisë. Borxhi privat arriti 3.41 miliardë euro, ku pjesëmarrës kryesor janë bankat komerciale (21.10%), kompanitë (27.31%) dhe sektorët tjerë (51.59%).



