Reagime të ashpra ndaj pranimit të provave nga Serbia në Gjykatën Speciale: Maliqi dhe Selimi e quajnë skandal

Analisti politik nga Kosova, Agon Maliqi, ka reaguar me shqetësim pas raportimeve se Gjykata Speciale në Hagë ka pranuar dokumente dhe prova nga institucionet e sigurisë së Serbisë në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Përmes një postimi, Maliqi ka ngritur pikëpyetje serioze mbi legjitimitetin e këtyre provave, duke theksuar se burimi i tyre është një aparat shtetëror që nga Tribunali Ndërkombëtar për Krimet në ish-Jugosllavi (ICTY) është cilësuar si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
“Jam kurioz se si dhe pse Dhomat e Specializuara pranojnë si prova të pranueshme dokumentet e prodhuara nga një aparat shtetëror i përcaktuar nga ICTY si një Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale. Kryerësi i spastrimit etnik nuk mund të jetë një dëshmitar i besueshëm kundër kundërshtarëve të tij”, ka shkruar Maliqi.
Në të njëjtën linjë reagoi edhe ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, i cili e cilësoi pranimin e këtyre provave si “skandaloz” dhe “ofendues”.
“Kjo është tepër ofenduese, skandaloze. Serbia NUK ËSHTË një burim i besueshëm i asnjë ‘prove’”, shkroi Selimi në rrjetet sociale.
Reagimet e tyre vijnë në një moment kur proceset në Dhomat e Specializuara po vazhdojnë të ngrenë debat të gjerë publik mbi drejtësinë dhe paanshmërinë e Gjykatës, sidomos për shkak të burimeve të provave dhe besueshmërisë së dëshmitarëve.