Lajme

Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri: Proces konkurrues, por me mangësi dhe presion mbi votuesit

Misioni i OSBE-së dhe Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) ka publikuar raportin përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri, duke vlerësuar se procesi ishte konkurrues dhe profesional, por i zhvilluar në një atmosferë të thellë polarizimi politik dhe me mangësi të rëndësishme.

Sipas raportit, kandidatët patën mundësi të zhvillonin fushatë lirshëm, megjithatë disa raportuan për presion dhe intimidim. Për herë të parë, u zhvillua votimi jashtë vendit, i cili u menaxhua mirë, megjithëse vonesat në dakordësimin politik dhe problemet organizative ndikuan në proces.

Raporti thekson se partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative dhe aktiviteteve institucionale, duke krijuar avantazh të padrejtë për kandidatët në detyrë. Gjithashtu, pati akuza për presion mbi votuesit, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës publike. Legjislacioni zgjedhor dhe interpretimi i tij nuk parandaluan praktikat abuzive.

Fushata u karakterizua nga një diskurs polarizues, sidomos online, mes dy partive kryesore. Kandidatët nuk zbuluan të dhëna mbi donacione apo hua, ndërsa mungesa e mekanizmave ligjorë e ul transparencën dhe llogaridhënien e financimit të fushatës.

Procesi i votimit u vlerësua pozitivisht në 95% të vëzhgimeve, por u evidentuan incidente serioze, duke përfshirë frikësim të votuesve, ndërhyrje nga përfaqësues të partive, dhe shkelje të fshehtësisë së votës. Shumë qendra votimi nuk ishin të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara.

Raporti përmend gjithashtu për herë të parë ngritjen e një task force hetimore nga SPAK-u dhe një platformë online për raportimin e veprave penale zgjedhore. Deri më 10 maj, nga 138 raportime janë nisur 39 procedime penale, kryesisht për korrupsion pasiv dhe aktiv, përfshirë tetë procedime ex officio. Bashkëpunimi midis SPAK, KQZ dhe Prokurorisë së Përgjithshme ka mundësuar shkëmbimin e informacionit mbi krimet zgjedhore.

Raporti i OSBE/ODIHR nxjerr në pah sfidat kryesore të demokracisë shqiptare: nevojën për një garë më të barabartë, transparencë financiare dhe mbrojtje më të fortë të votuesve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button