Kosova

Raport i Institutit GAP: Vetëm 7% e bizneseve në pronësi të grave kanë marrë mbështetje financiare nga institucionet publike

Instituti GAP ka publikuar raportin “Forcimi i mbështetjes financiare për bizneset në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë”, ku janë evidentuar pabarazi gjinore dhe etnike në programet e përkrahjes ekonomike.

Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Blendi Hasaj, theksoi se fuqizimi ekonomik i grave dhe komuniteteve pakicë kërkon angazhim të vazhdueshëm dhe politika të qëndrueshme mbështetëse.
“Fuqizimi ekonomik i grave dhe komuniteteve pakicë është tejet i rëndësishëm dhe kërkon hulumtime për të kuptuar nivelin e përkrahjes dhe nevojat e tyre. Aktualisht 99% e bizneseve janë mikro, dhe duhet të mendojmë për mënyra që të ndihmojmë zgjerimin e tyre. Mbështetja publike për gratë mbetet ende e pamjaftueshme,” deklaroi Hasaj.

Sipas hulumtueses së Institutit GAP, Anisa Zogaj, vetëm 7% e bizneseve në pronësi të grave dhe 8% të pakicave etnike kanë përfituar ndonjë lloj ndihme nga institucionet qendrore.
“Bazuar në të dhënat zyrtare, gratë kanë përfituar mesatarisht vetëm 12% të subvencioneve të Ministrisë së Bujqësisë gjatë viteve 2018–2024 dhe 16% të granteve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Në nivel lokal, përfshirja është edhe më e ulët, vetëm 4% për bizneset e grave dhe 8% për ato të pakicave,” tha ajo.

Raporti tregon se programet e organizatave joqeveritare (OJQ) janë vlerësuar si më të qasshme dhe efektive, me rreth 10% të grave dhe 8% të përfaqësuesve të pakicave që kanë përfituar nga to.

Nga ana tjetër, drejtori menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), Besnik Berisha, sqaroi se institucioni që ai udhëheq nuk jep financime direkte, por ndihmon në procesin e garantimit të kredive.
“Dritarja për mbështetjen e financimit të grave në biznes ka filluar në vitin 2021. Një nga sfidat kryesore për to është mungesa e kolateralit, dhe për këtë arsye FKGK garanton deri në 70% të kredive për bizneset në pronësi të grave,” tha Berisha.

Raporti i GAP përfundon se mbështetja financiare e barabartë për gratë dhe pakicat etnike është thelbësore për zhvillimin gjithëpërfshirës ekonomik të vendit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button