Kosova

Ramiz Lladrovci falënderon përkrahësit pas vendimit të PDK-së: “Bashkë vazhdojmë, plus katër!”

Kryetari aktual i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas vendimit të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës për të mos e rizgjedhur atë si kandidat për zgjedhjet e ardhshme lokale.

Në një postim në Facebook, Lladrovci ka falënderuar qytetarët, miqtë dhe përkrahësit për, siç tha ai, “mijëra mesazhe dhe telefonata” që ka pranuar pas këtij vendimi.

“Falënderoj qytetarët, miqtë, dashamirët dhe përkrahësit për mijëra mesazhe dhe telefonata përkrahëse, pas vendimit të Kryesisë së PDK-së, rreth kandidaturës time,” shkroi Lladrovci.

Ai theksoi se ndjehet mirënjohës për mbështetjen që ka marrë, duke shtuar se puna e tij e deritanishme ka fituar simpati përtej Drenasit.

“E kam ditur se puna ime me përkushtim, sinqeriteti dhe vendosmëria për qeverisjen shembullore dhe me duar të pastra, pa iu nënshtruar keqbërësve, e merr përkrahjen dhe simpatinë jo vetëm nga qytetarët e komunës së Drenasit, por gjithandej trojeve shqiptare,” ka shkruar ai.

Pavarësisht vendimit të partisë së tij, Lladrovci ka lënë të kuptohet se nuk do të tërhiqet nga politika. Në fund të postimit ai ka shtuar: “Faleminderit, bashkë, vazhdojmë, +4!”

PDK ka vendosur që në zgjedhjet lokale në Drenas të kandidojë Petrit Hajdarajn, ndërsa nuk dihet ende nëse Lladrovci do të garojë si kandidat i pavarur apo përmes ndonjë subjekti tjetër politik.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button