Lajme

“Rama thirrje për të mos votuar: Sulm i hapur ndaj demokracisë”

Vetëm pesë ditë para zgjedhjeve të 11 majit, Kryeministri Edi Rama ka dhënë një mesazh që trondit themelet e një sistemi demokratik: ai u bën thirrje qytetarëve që nuk mbështesin Partinë Socialiste, të mos marrin pjesë në votime. Në vend që të inkurajojë pjesëmarrjen dhe pluralizmin, Rama zgjedh të nxisë apatinë dhe dorëzimin.

Në rubrikën e tij “Sy më sy”, përballë kritikave të shumta nga qytetarët, Rama reagoi me përbuzje dhe arrogancë. “Nëse nuk voton për mua, mos voto fare”, ishte thelbi i mesazhit të tij. Një deklaratë e paprecedentë për një lider europian, që bie ndesh me çdo normë demokratike dhe përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj të drejtës së votës – një nga shtyllat më të shenjta të një shoqërie të lirë.

Një komentues i shkruan: “Ik me nder dhe ler të rinjtë të japin kontributin, boll e mbajte pushtetin e pushtuar.” Ndërsa një tjetër thotë: “Edi Rama frikacak, bëhu gati të shkosh në SPAK!”

Reagimi i Ramës? “Mos voto fare. Mos u hidh në kënetë…” – një fjalor i denjë për autokratë, jo për një kryeministër të një vendi që synon integrimin europian.

Ky nuk është rasti i parë që Rama nxit qytetarët të qëndrojnë larg kutive të votimit. Por është ndoshta më i rëndi, pasi vjen në një kohë kur pjesëmarrja qytetare është vendimtare për të ndëshkuar ose shpërblyer një qeveri pas 12 vitesh në pushtet.

Në një vend demokratik, një deklaratë e tillë do të shkaktonte dorëheqje ose hetim institucional. Në Shqipëri, ajo kalon si një “shfaqje” e radhës.

Por qytetarët nuk duhet të heshtin. Vota është mjeti i tyre i vetëm për të vendosur, për të ndëshkuar dhe për të ndryshuar. Demokracia vdes kur njerëzit dorëzohen. Dhe ndoshta, kjo është ajo që Rama kërkon më shumë: një popull që hesht, ndërsa ai flet për të gjithë.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button