Lajme

Rama: Shqipëria dhe Turqia – dy duar që duartrokasin së bashku për investime dhe bashkëpunim strategjik

Kryeministri Edi Rama theksoi sot rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes Shqipërisë dhe Turqisë, gjatë Forumit të Investimeve Shqipëri-Turqi, ku morën pjesë mbi 1500 investitorë turq dhe zëvendëspresidenti i Turqisë, Cevdet Yılmaz.

“Duhen dy duar për të duartrokitur,” tha Rama, duke e përdorur këtë thënie të urtë për të përshkruar miqësinë dhe partneritetin midis dy vendeve. Kryeministri theksoi se Shqipëria dhe Turqia janë sot “dy duar që duartrokasin së bashku”, duke ndërtuar një histori miqësie dhe bashkëpunimi që forcohet çdo ditë.

Ai kujtoi se një dekadë më parë, vendosi së bashku me presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, objektivin e dyfishimit të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Sot, ky objektiv jo vetëm që është arritur, por është tejkaluar, me një vëllim tregtar që ka kaluar 1 miliard euro në nëntë muajt e parë të këtij viti, nga 250 milionë euro më parë.

Numri i sipërmarrjeve me kapital turk në Shqipëri është rritur nga 300 në mbi 1 mijë, ndërsa punësimi në këto kompani ka kaluar nga disa qindra në mbi 15 mijë qytetarë shqiptarë. Rama vuri në dukje se më e rëndësishmja është fryma e bashkëpunimit dhe besimi i ndërtuar mes dy vendeve.

Kryeministri nënvizoi klimën e favorshme për investime në Shqipëri, duke përmendur taksat e ulëta, energjinë e gjelbër, turizmin në rritje, zhvillimin teknologjik dhe një treg mikpritës për sipërmarrjen turke. Ai theksoi se vetëm këtë vit mbi 300 mijë turistë turq vizituan Shqipërinë, duke treguar thellimin e lidhjeve në fushën e turizmit.

Rama e cilësoi Shqipërinë si portën më të afërt të Turqisë drejt Bashkimit Europian dhe një partner strategjik në fushat e sigurisë, energjisë, turizmit dhe teknologjisë. Ai shtoi se qëllimi i ri është dyfishimi i shkëmbimeve tregtare dhe ndërtimi i një “autostrade suksesi” midis Bosforit dhe Adriatikut.

“Ura që sot lidh Stambollin me Tiranën është më e fortë se kurrë. Ura që lidh Ankaranë me Shqipërinë zyrtare është më solide se kurrë,” tha Rama, duke vënë në pah se marrëdhëniet mes dy vendeve janë më shumë se ekonomike, janë një lidhje vëllazërie dhe bashkëpunimi drejt së ardhmes.

Kryeministri ftoi investitorët turq të jenë pjesë e këtij rrugëtimi, duke u bërë bashkë për projekte dhe investime që kthehen në sukses të përbashkët dhe, siç tha Rama, “çdo energji bëhet shkak për një duartrokitje të re për historinë tonë të përbashkët.”

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button