Rama shmang përballjen me gazetaren Ambrozia Meta pas pyetjes për shkeljen e Kodit Zgjedhor

Kryeministri Edi Rama zgjodhi të mos përballej me gazetaren e SYRI TV, Ambrozia Meta, pas një pyetjeje direkte mbi një veprim të tij të diskutueshëm gjatë fushatës zgjedhore.
Gazetarja Meta e pyeti Ramën pse vendosi të falë gjobat e vendosura ndaj qytetarëve, një vendim që sipas kritikëve përbën një shkelje të hapur të Kodit Zgjedhor dhe synon ndikimin e votuesve përmes favoreve financiare.
Në vend që të përgjigjej, Rama u tërhoq dhe u largua duke u pozicionuar pas bashkëshortes së tij, ndërsa shmangu çdo koment publik.
Kryeministri Rama votoi sot në shkollën ‘Ymer Lala’ në Surrel, në kuadër të procesit zgjedhor.
Ky veprim ka ngritur sërish pikëpyetje mbi angazhimin institucional për integritetin e procesit zgjedhor. Kujtojmë se miratimi i faljes së gjobave gjatë fushatës zgjedhore është konsideruar nga juristë dhe opozita si një krim elektoral, por deri më tani, SPAK nuk ka marrë asnjë veprim hetimor lidhur me këtë çështje.