Lajme

Rama paralajmëron tregtarët: Sekuestro dhe gjoba për produktet e bulmetit e mishit pa faturë

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të rrepta ndaj tregtarëve që shesin produkte bulmeti, mish dhe qumësht pa faturë tatimore. Në një postim publik, kreu i qeverisë bëri të ditur se duke nisur nga java e ardhshme, çdo produkt i tillë do të sekuestrohet, ndërsa subjektet tregtuese do të përballen me gjoba të larta.

“STOP qumështit, mishit dhe prodhimeve të bulmetit pa faturë! Nga java e ardhshme, çdo prodhim i tillë do të sekuestrohet, sepse përbën një kërcënim direkt të shëndetit, sidomos me temperaturat e larta”, shkruan Rama, duke theksuar se formalizimi i tregut dhe siguria ushqimore janë domosdoshmëri për një vend që synon integrimin në Bashkimin Europian.

Paralelisht me këtë paralajmërim, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, kanë zhvilluar takime ndërgjegjësuese me bizneset. Qëllimi i tyre është garantimi i mbrojtjes së konsumatorit dhe ndërtimi i një sistemi të plotë për gjurmimin fiskal të produkteve blegtorale dhe bujqësore.

Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin për rrezikun që paraqet tregtimi i produkteve pa standarde dhe të forcojë kontrollin ndaj abuzimeve që dëmtojnë konsumatorët dhe ekonominë formale.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button