Lajme

Rama paralajmëron masa të rrepta ndaj ndërtuesve: Listë e zezë për shkelësit, kamera sigurie në çdo kantier

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj ndërtuesve që nuk respektojnë lejet dhe projektet e ndërtimit, duke njoftuar krijimin e një “liste të zezë” për shkelësit dhe vendosjen e kamerave sigurie në çdo kantier.

Gjatë një deklarate për mediat, Rama theksoi se qeveria do të ndërmarrë hapa konkretë për të garantuar cilësinë dhe korrektësinë në industrinë e ndërtimit, sidomos në funksion të prezantimit të projekteve shqiptare në panaire ndërkombëtare të pasurive të paluajtshme.

“Do të ndërtojmë një plan masash represive për ndërtuesit që nuk zbatojnë projektet besnikërisht. Lista e zezë do t’i përjashtojë nga marrja e lejeve të reja të ndërtimit. Nuk mund të ecim përpara vetëm me ‘shitjen në gropë’, kleringun dhe blerësit rastësorë brenda vendit,” tha Rama.

Ai shtoi se masa të reja do të balancojnë mbështetjen e qeverisë ndaj sektorit të ndërtimit, ndërsa vendosja e kamerave 24 orë në kantieret e ndërtimit do të shërbejë si mjet për monitorim të vazhdueshëm dhe rritje të transparencës.

“Kantieret do të pajisen me kamera sigurie për monitorim të vazhdueshëm. Kjo është një ndihmë edhe për ju, ndërtuesit, për ndjekjen e punimeve dhe garantimin e projektit,” u shpreh Rama.

Qeveria shqiptare synon të tërheqë investitorë të huaj dhe të prezantojë projektet më të mëdha të ndërtimit në panaire ndërkombëtare, por për këtë kërkohet garantimi i standardeve dhe zbatimi rigoroz i rregullave ligjore nga sektori privat.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button