Lajme

Rama paralajmëron masa drastike kundër vjedhjes së ujit, krijohet Operator Kombëtar dhe Task Forca e Ujit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar masa të ashpra ndaj qytetarëve dhe bizneseve që abuzojnë me ujin, duke përfshirë edhe dënime me burg, në linjë me praktikat e zbatuara më herët kundër vjedhjes së energjisë elektrike.

Deklaratat u bënë gjatë prezantimit të fazës së dytë të reformës në sektorin e ujit dhe krijimit të Operatorit Kombëtar të Ujit. “Ai që e vjedh duhet të penalizohet me heqje lirie, siç ndodhi me ata që vidhnin energjinë elektrike”, tha Rama, duke theksuar se nuk do të tolerohen lidhjet e paligjshme dhe përdorimi i ujit të pijshëm për lavazhe apo vaditje.

Kreu i qeverisë njoftoi ngritjen e një Task Force Kombëtare për Ujin, modeluar sipas asaj të energjisë, që do të godasë abuzuesit dhe lidhjet e paligjshme në rrjet. Ai shtoi se reforma ka kaluar tashmë në fazën e dytë, me reduktimin e 58 ndërmarrjeve të ujësjellësve në 15 shoqëri rajonale dhe krijimin e një operatori kombëtar që do të menaxhojë prodhimin dhe shpërndarjen.

Rama kritikoi decentralizimin në këtë sektor duke e cilësuar “katastrofë” dhe solli si shembull rastin e Vlorës, ku ndërhyrja e qeverisë qendrore zgjidhi krizën e ujit gjatë sezonit turistik.

Ai u shpreh i vendosur të largojë ndikimin politik nga punësimet, duke theksuar se ndërmarrjet ekzistuese janë të mbushura me “parazitë” dhe të punësuar nga lidhjet politike apo familjare.

Në fjalën e tij, kryeministri bëri apel edhe për ndryshim sjelljeje nga qytetarët, duke i quajtur “turp kolektiv” praktikat e ndotjes së mjedisit.

Rama njoftoi gjithashtu se do të krijohet një Operator Kombëtar për Trajtimin e Mbetjeve, që do të punojë me bashkitë për menaxhimin e tyre.

Ai përfundoi duke theksuar se objektivi është arritja e standardeve të BE-së deri në vitin 2030: “Furnizimi me ujë, si energjia, nuk është luks, por detyrim shtetëror”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button