Rama paralajmëron gjashtë reforma të reja: Synim Shqipëria 2030 në BE

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nisjen e hartimit të gjashtë reformave të reja që do të prekin sektorët kyç të jetës publike, me synimin final: integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.
Në një deklaratë publike, Rama tha se qeveria do të ndërmarrë një reformë rrënjësore ligjore për zhvillimin dhe kontrollin e territorit, duke i dhënë fund tolerancës ndaj ndërtimeve të paligjshme dhe uzurpimeve të tokës. Ai kritikoi qeverisjen vendore dhe institucionet inspektuese për bashkëpunim të heshtur me shkelësit, duke e quajtur këtë një plagë për jetën urbane.
“Toleranca ndaj tokave të xanuna apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit do të marrë fund. Kemi nisur punën për një reformë të re ligjore për kontrollin e territorit,” theksoi ai.
Përveç territorit, Rama bëri të ditur se do të reformohen edhe këta sektorë:
Shërbimi me ujë të pijshëm
Sistemi i pastrimit dhe përpunimit të mbetjeve
Furnizimi me naftë
Furnizimi me barna
Shërbimi spitalor
Këto reforma, sipas tij, janë “piketa të mandatit të katërt” të qeverisë dhe do të jenë bazë për ecjen e Shqipërisë drejt standardeve europiane dhe anëtarësimit të plotë në BE.
“Shqipëria 2030 në Bashkimin Europian” është tashmë një slogan strategjik i qeverisë, që përmes këtyre reformave synon modernizimin e vendit dhe përmirësimin e ndjeshëm të jetës së qytetarëve.