Lajme

Rama në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor: “Ballkani nuk është problem për t’u zgjidhur, por zgjidhje që pret të integrohet”

Ka nisur sot në Pallatin e Kongreseve në Tiranë Forumi i parë i Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, një ngjarje dyditore që zhvillohet më 13-14 tetor dhe që sjell në kryeqytetin shqiptar liderë evropianë dhe rajonalë për të diskutuar mbi bashkëpunimin ekonomik dhe integrimin.

Në forum merr pjesë edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërsa kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij falënderoi Komisionin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

“Dua të falënderoj skuadrën tuaj për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm për të bërë realitet këtë gjë. Për një kohë të gjatë, historia e Evropës dhe e Ballkanit Perëndimor është shkruar me gramatikën e pritjes. Por kur momenti erdhi, ne ishim të përgatitur për të nisur së bashku me KE-në procesin e negociatave që nuk mund të ishte më intensiv dhe më çlirues nga fantazmat e së shkuarës,” deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se rajoni po përjeton një rritje ekonomike dy herë më të shpejtë se mesatarja evropiane, duke e cilësuar këtë si një “horizont të ri zhvillimi”.

“Ballkani Perëndimor nuk është lagjja e Europës e dorës së dytë, por është horizonti i ri – një horizont jo prej muresh dhe kufijsh, por horizont energjie dhe imagjinate, ku Europa mund të rizbulojë shkathtësinë e saj, oreksin, urinë e saj, nxitjen krijuese dhe mbi të gjitha dashurinë për jetën, paqen dhe të bërit bashkë,” u shpreh Rama.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ai bëri thirrje që Ballkani të shihet nga institucionet evropiane si një mundësi e re për partneritete dhe zhvillim.

“Sa më shumë hedhim sytë nga bota rreth nesh, aq më shumë ndjejmë nevojën për më shumë Evropë. Ballkani Perëndimor mund të bëhet laboratori i Evropës, një hapësirë ku investimet shkojnë nga ideja në realizim më shpejt, ku BE-ja dhe rajoni takohen për ta bërë të ardhmen realitet. Ballkani nuk është problem për t’u zgjidhur, por një zgjidhje që pret të integrohet,” përfundoi Rama.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Kontrolloni gjithashtu
Close
Back to top button