Lajme

Rama: Ksamilit i duhet rikthyer balanca mes interesit publik dhe privat

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me të rinj të përfshirë në sipërmarrje turistike në Sarandë, u ndal në problematikat e plazheve të jugut, duke veçuar rastin e Ksamilit.

Ai e cilësoi këtë zonë si një “plazh të dhunuar”, ku sipas tij, abuzimet me menaxhimin, dendësinë dhe çmimet e larta po dëmtojnë imazhin e Shqipërisë si destinacion turistik.

“Po e nis me plazhet e dhunuara. Kjo është fjala e duhur për plazhin e Ksamilit, po marr atë se është një ndër plazhet më të bukur të botës dhe nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shikojnë si një tokë për t’u pushtuar dhe pastaj për t’u sjellë me turistët si të ishin skllevër që mund të hanë edhe shkopin e çadrës në kokë,” u shpreh Rama.

Kryeministri kritikoi çmimet e larta për shërbime që nuk justifikohen me cilësinë dhe theksoi mungesën e hapësirave të lira për qytetarët.

“Nuk ka arsye më që plazhi publik i Ksamilit të jetë plazh privat, ku dendësia është e lidhur me stresin, me çmime të cilat vetëm lëndojnë imazhin e turistëve shqiptarë,” tha ai.

Rama nënvizoi se është e domosdoshme rishikimi i mënyrës së shfrytëzimit të vijës bregdetare, duke synuar rikthimin e ekuilibrit mes interesit publik dhe atij privat.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button