
Kryesocialisti Edi Rama në kuadër të turit elektoral që pati sot në qarkun e Elbasanit, zhvilloi një takim edhe me qytetarët e Gramshit. Kreu i mazhorancës premton rilindjen e industrisë ushtarake dhe hapjen e vendeve të punës. Kryesocialisti Edi Rama në kuadër të turit elektoral që pati sot në qarkun e Elbasanit, zhvilloi një takim edhe me qytetarët e Gramshit.
Në një sallë të mbushur plot, i shoqëruar nga drejtuesi politik Arbjan Mazniku, kandidatët dhe strukturat, kryesocialisti shprehej para takimit se vota për Shqipërinë ishte për BE-në.
“Voto 5! Për zgjedhjen e qartë dhe historike të 11 majit: Mes interesit të një populli të tërë dhe hallit të një njeriu të vetëm; mes të mirës së një vendi të tërë dhe interesit të një familjeje të vetme; mes Shqipërisë me BE-në zonjë në Europë dhe Shqipërisë me Bufin e Kënetës prapë në gropë… Kush zgjedh të parën Shqipërinë voton 5”.
Kreu politik i qarkut, Mazniku, u shpreh se vetëm me Ramën vendi shkon në BE.
“Kemi një njeri që i ka lënë vend vetes, që mund ta çojë Shqipërinë në Europë, që i hap telefonin atyre që kanë nevojë dhe që ia hapin telefonin në Europë kur ëhstë nevoja. Jam i bindur se vetëm me Edi Ramën Shqipëria mund të shkojë në BE. Gramshi ka shumë sfida, edhe pse është bërë shumë për këtë zonë ndër vitet e qeverisjes. Do shtrojmë rrugët e fshatrave si në Lenie apo Skënderbegas, ura dhe ujësjellës nga Holta në Poroçan e Pishaj. Ujësjellësi i Kodovjatit dhe rrugë të kësaj zone. Këto bëhen vetëm me Edin, drejtuesin tonë”, tha Mazniku mes të tjerash.
Rama vuri theksin tek fakti se me anëtarësimin në BE të Shqipërisë, garantohej paprekshmëria e SPAK dhe reformës në drejtësi.
Ai solli në vëmendje se “këneta dhe bufi” vranë disa herë gjatë qeverisjes së tyre dhe Altin Dumani me prokurorët e tjerë që ishin të panjohur, nuk thirrën asnjë zyrtar e pushtetar për ta pyetur apo hetuar.
Kryesocialisti theksoi se qëllimi i Berishës ishte që ta bënte përsëri çorap Shqipërinë dhe të zhbënte reformën. Teksa këshilloi edhe burrat demokratë që të mbyllnin hundën që të mos u dukej era e kënetës parfum.
Kryesocialisti e nisi fjalën e tij duke folur për shndërrimin e Gramshit nga një qytet periferik të panjohur dhe vështirësisht të vizituar, në një atraksion turistik me rrugë të re dhe investime, teksa tha se po rilind edhe industria ushtarake me uzinën e armëve.
“Gramshi ka shumë potenciale. Po shohim se si Gramshi ka filluar të vizitohet, ajo perdja e hekurt që kishte rënë mbi Gramsh, ra me rrugën e re, me këtë zonë që dukej si në fund të botës. Bukuritë e kësaj zone kanë nisur të zbulohen. Ajo që do bëjmë është se do nxisim, mbështesim dhe zhvillojmë e hapim korridore e dyer mikëpritjeje. Do t’i bëjmë edhe ato rrugë e segmente që u përmenden, për të nxitur më tej turizmin, agro-turizmin dhe ekonominë, për bukuritë që ka Gramshi.
Kemi ndërmarrë e një hap tjetër, të rilindjes së industrisë sonë ushtarake. Gramshi ka traditë, mundësi dhe ne do vazhdojmë punën, kemi nisur diskutimet për disa pika në Shqipëri, edhe me kompani të huaja, e një prej tyre është në Gramsh, me vende pune e paga shumë të mira, që do e bëjmë realitet më herët sesa vonë”, u shpreh Rama.
Po pse 11 maji është ditë historike?
“Ajo që e bën 11 majin ditë historike nuk është fakti se populli shkon të votojë një herë në 4 vjet, edhe pse vota është e rëndësishme, ku vendoset opozita dhe qeverisja, këto janë ë rëndësishme, por më 11 maj populli duhet të marrë një vendim historik që nuk lidhet me të shkuarën, por me të ardhmen dhe historinë, me të parët tanë, ku kam parasysh Skënderbeun, Ismail Qemalin, rilindasit tanë që luftuan për një Shqipëri pjesë e Europës e jo e Azisë, pjesë e Perëndimit dhe jo e Lindjes, që shqiptarët që jetojnë në zemër të Europës të kenë të njëjtin status, të mos jenë popull i dorës së dytë, të mos trajtohen si të huaj, ku ndërkohë ne jemi një ndër popujt më të vjetër në vend”.
Kryesocialisti shpjegoi edhe momentin e fatit që po përjeton vendi me hapjen e derës nga BE-ja dhe që mund të mbyllet nëse nuk shfrytëzohet siç duhet.
“Kjo na ka ardhur ne, fati e desh, këmbëngulja jonë dhe gatishmëria e BE-së e dëshira e saj për të na e hapur ne derën e anëtarësimit. Por ajo derë nuk rri gjithë kohën hapur. 27 anëtarë brenda një familje të madhe, ku të gjithë duhet të bien dakort në të njëjtin moment, se mund të rrish me vite e dekada dhe dera nuk hapet. Nuk mjafton që ti të jesh gati, por edhe ajo familje të jetë gati për të të bërë pjesë e saj. Ne sot jemi gati për t’u bërë pjesë e asaj familjeje, por lajmi i mirë është që ajo familje është gati që ne të jemi pjesë e saj. Kjo nuk ka qenë e vërtetë deri më sot. Sepse gjithmonë na thoshin një ditë do vini etj., e të gjithë e kemi parë se kur Komisioni thoshte Shqipëria është gati, para ca vitesh, ata thoshin nuk jemi ne gati, njëri thoshte jo sot, tjetri s’jam gati etj”, tha kreu i mazhorancës.
Dhe këtë e ilustroi me vendet e tjera të rajonit që kanë mbetur pas dhe disa prej tyre u është mbyllur dera për shumë vite.
“Ndërkohë që sot jemi pranë, 3 vjet për të mbyllur negociatat, nisën më 2024 e mbyllen më 2027, për të plotësuar negociatat e mbyllur anëtarësimin. Negociatat janë 250 mijë faqe, rregulla, ligje, vendime e zbatime në vendime. Duhet t’i ndërmarrim ato ligje e përmbushim standardet, që t’i bindim se ne pushtetin e kemi njëlloj si ata. 1 mijë njerëz që kemi angazhuar për negociatat, të mos ndalen asnjë minutë. Që ne të realizojmë këtë duhet të bëjmë diçka që s’e ka pasur askush, një shans që nuk i është dhënë askujt, shans që të mbyllet në 3 vjet, që do të thotë se nuk duhet të humbim asnjë minutë. Nëse është përgjegjësia jonë që nuk jemi anëtarësuar në BE këto 3 mandate, si shpjegohet që Mali i Zi, që e nisi para nesh, nuk ka hyrë akoma në BE, që i hapi negociatat që në kohën e bufit të kënetës kur ishte këtu te ne. Po Serbia që i hapi në 2014, po Maqedonia e Veriut, që janë shumë mbrapa nesh, edhe pse i kanë hapur para nesh. Reputacioni i Shqipërisë ishte përtokë, copë-copë, mezi na shihnin me sy dikur. Kurse sot jemi te pragu i derës, bashkë me Malin e Zi. Ne kemi bërë atë që atë që ata që dalin në pasqyrat mediatike të moçaleve thonë se nuk kemi arritur asgjë. Ne kemi bërë atë që nga një vend që nuk shihej me sy e nuk mbështetej, të jemi të barabartë, të respektohemi, të ngremë kokën e të na shohin në sy”, shpjegoi Rama.
Kryesocialisti kujtoi edhe takimin e rëndësishëm, samitin e 16 majit që do mbahet në Tiranë dhe ku do mblidhen të gjithë liderët e Europës e Botës. Sipas tij, ky event gjeopolitik vjen sepse reputacioni i Shqipërisë është rritur dhe është bërë vend i besueshëm.
“E kemi bërë Shqipërinë një vend kur më 16 maj do mblidhet e gjithë Europa, udhëheqësit e saj në Tiranë, madje nga i gjithë globi, të parët e atyre vendeve do vijnë aty, te Skënderbeu. Si ndodhi kjo? Sepse ne i qëndruam atyre që thamë. Të parët që vendosëm atë që të tjerët kurrë nuk e bënë, që pasi mori pushtetin t’i japë drejtësisë shpatën, ta pavarësojë drejtësinë, e cila që nga 1912 kur u shpallëm shtet, drejtësia varej nga qeveria”, tha Rama.