Rama flet me ironi ndaj strategut të Trump: Frika nga rikthimi i Berishës e bën të papërmbajtshëm

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone ironike dhe thumbuese ndaj Jeff LaCivita-s, strategut amerikan që po drejton fushatën elektorale të Sali Berishës për zgjedhjet e 11 majit. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka publikuar një montazh me imazhin e LaCivita-s, një buf dhe numrin 5, që mban Partia Socialiste në fletën e votimit, duke lënë të kuptohet se strategu amerikan është bërë pjesë e një loje të panevojshme.
LaCivita, i njohur për rolin e tij në fushatën e rikthimit të Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, ka lëshuar disa mesazhe të forta ndaj Ramës, duke e quajtur “kukull të Sorosit” dhe duke e ironizuar si “mi”. Po ashtu, ai ka deklaruar se Sali Berisha është një mik i madh i Shteteve të Bashkuara, mesazh që duket se ka shqetësuar dukshëm kreun e qeverisë.
Në reagimin e tij, Rama përmendi edhe analistin Baton Haxhiu (të cilin e ironizoi si “Latifi i shkretë”), duke shtuar: “Voto 5 se mbeti edhe Latifi i shkretë në penxhere për të marrë gjithë ato lekët e Bufit dhe për të ikur nga sytë këmbët më 11 maj.”
Kujtojmë se Rama është përballur më parë me akuza për përfshirje në çështjen McGonigal, ku dyshohet se ka paguar në mënyrë të fshehtë ish-zyrtarin e lartë të FBI-së për të ndikuar në luftën ndaj opozitës.
Përplasja e fundit me LaCivita-n shënon një tjetër kapitull të tensionuar në skenën politike shqiptare, teksa zgjedhjet e 11 majit po afrohen dhe retorika mes palëve po bëhet gjithnjë e më e ashpër.