Lajme
Kryesore

Rama dhe Berisha në Itali për të bindur emigrantët: Fushata elektorale zhvendoset në Diasporë

Fushata elektorale ka hyrë në një fazë të re, me liderët e dy partive kryesore në Shqipëri që po kërkojnë mbështetjen e shqiptarëve jashtë vendit. Këtë të diel, Edi Rama dhe Sali Berisha do të jenë në veri të Italisë për të takuar emigrantët shqiptarë dhe për të kërkuar votën e tyre.

Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të zhvillojë një takim me diasporën shqiptare në Milano, në orën 15:00. Vetëm një orë më pas, në qytetin e afërt të Breshias, lideri i opozitës, Sali Berisha, do të takohet me mbështetësit e tij.

Ndërkohë, pakot e para zgjedhore do të nisin të mbërrijnë me postë në Greqi dhe Itali, dy nga vendet me numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë. Në fillim të javës që vjen pritet të nisë edhe shpërndarja e zarfeve me fletët e votimit për të gjithë votuesit jashtë vendit.

Pasi të marrin fletët e votimit dhe të ndjekin udhëzimet përkatëse, emigrantët do të mund të votojnë me postë dhe t’i dërgojnë votat e tyre drejt Shqipërisë. Sipas të dhënave zyrtare, vetëm në Itali janë regjistruar afro 90 mijë votues nga jashtë, ndërsa numri total i atyre që do të marrin fletët e votimit në emigracion arrin në 245,953.

Fushata në Diasporë po merr gjithnjë e më shumë rëndësi, ndërsa vota e emigrantëve mund të luajë një rol kyç në rezultatin e zgjedhjeve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button