Bota

Italia, mes tri vendeve me rezervat më të mëdha të arit në botë: 2,452 tonë vlerë 300 miliardë dollarë

Italia po përfiton nga një klimë pozitive financiare, falë rezervave të mëdha të arit të Bankës Qendrore, në një kohë kur çmimi i këtij metali ka arritur nivele rekord. Pavarësisht krizave të përsëritura në tregjet financiare, vendi ka ruajtur një politikë të qëndrueshme të sigurisë ekonomike.

Sipas agjencisë “Reuters”, Banka e Italisë renditet aktualisht mes tri rezervave më të mëdha kombëtare të arit në botë, pas Shteteve të Bashkuara dhe Gjermanisë. Me 2,452 tonë ar në zotërim, vlera e të cilave llogaritet rreth 300 miliardë dollarë, këto rezerva përbëjnë rreth 13 për qind të prodhimit kombëtar të Italisë në vitin e kaluar.

Rreth 1,100 tonë ar ruhen në kasafortën nën selinë e Bankës Qendrore në Pallazzo Koch në Romë, afër Koloseumit, ndërsa pjesa tjetër mbahet në SHBA, Britani dhe Zvicër. Në fund të vitit të kaluar, ari përbënte rreth 75 për qind të rezervave zyrtare të vendit, një përqindje më e lartë se mesatarja e eurozonës prej 66,5 për qind.

Tradita italiane e lidhur me arin shtrihet edhe në sektorin industrial. Italia është ndër eksportueset më të mëdha të bizhuterive të arit në botë, me qendra prodhimi në Alessandria, Arezzo dhe Vincenza. Brendet luksoze si “Bulgari”, “Buccellati” dhe “Damiani” vazhdojnë të ruajnë prestigjin ndërkombëtar.

Në një kohë kur shumë banka qendrore po grumbullojnë sërish ar për të forcuar stabilitetin financiar global, politika e kujdesshme e Italisë po shihet si një shembull i qëndrueshmërisë ekonomike në Evropë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button