Kosova

Qytetarët mund të kontrollojnë dhe ndërrojnë Qendrën e Votimit deri më 29 gusht

Të gjithë qytetarët me të drejtë vote që duan të informohen se ku do të votojnë në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit për Kryetarët e Komunave dhe Kuvendet Komunale, mund ta bëjnë këtë lehtësisht përmes platformës elektronike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ): https://qv.kqz-ks.org.

Duke futur numrin personal dhe datën e lindjes, secili votues mund të shohë menjëherë Qendrën e Votimit ku është i regjistruar.

Në rast se një votues dëshiron ta ndërrojë Qendrën e Votimit brenda komunës ku është i regjistruar, ai mund të bëjë kërkesë përmes të njëjtës platformë, duke klikuar në opsionin “Kërkesë për ndërrimin e Qendrës së Votimit”. Afati i fundit për paraqitjen e këtyre kërkesave është 29 gushti 2025.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Gazeta Express se ky shërbim ofrohet për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që duan ta kenë Qendrën e Votimit sa më afër vendbanimit.

“Në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, KQZ e ofron këtë shërbim për të gjithë ata që duan të ndërrojnë Qendrën e Votimit brenda komunës. Kërkesa mund të bëhet online ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve”, sqaroi Elezi.

Ai theksoi se ndërrimi i Qendrës së Votimit nga një komunë në një tjetër nuk mund të bëhet drejtpërdrejt nga KQZ-ja, por kërkon deklarim të ri të adresës në Zyrën e Gjendjes Civile apo në platformën E-Kosova.

“Çdo ndryshim i adresës së banimit i bërë deri më 29 gusht 2025, do të reflektohet në platformën e KQZ-së dhe në Listën Votuese”, përfundoi Elezi.

Sipas të dhënave të deritanishme, rreth 1 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar këtë mundësi për të ndryshuar Qendrën e tyre të Votimit përmes platformës së KQZ-së.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button