Qindra ish-luftëtarë të UÇK-së kalojnë kufirin drejt Tiranës për protestën mbarëkombëtare “Liri për çlirimtarët”

Në uniformë ushtarake me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qindra ish-luftëtarë u pritën me përshëndetje ushtarake në pikën kufitare mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në një ceremoni simbolike, drejtuesit e policisë kufitare nga të dy shtetet u dekoruan nga veteranët, të cilët në mënyrë solemne kaluan kufirin për të marrë pjesë në protestën mbarëkombëtare që po mbahet në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
Krahas tyre, edhe dhjetëra veteranë të tjerë u nisën drejt kryeqytetit shqiptar me motoçikleta, duke iu bashkuar kolonës së madhe të pjesëmarrësve. Ndërkohë, mijëra qytetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës janë nisur me autobusë për në Tiranë, me mesazhin e përbashkët “Liri për çlirimtarët”.
Në këtë rrugëtim për drejtësi ndaj figurave të UÇK-së, nuk mungoi as përfaqësimi nga Presheva, ku qytetarë dhe aktivistë iu bashkuan protestës mbarëkombëtare.
Gjatë ditës së premte, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kaloi kufirin në Vërmicë, ndërsa më vonë u bë e ditur se udhëtimi i saj në Shqipëri kishte arsye private.
Protesta e sotme në Tiranë po mbahet në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryekuvendarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të cilët ndodhen tash e pesë vjet në paraburgim në Hagë, nën akuzat për krime lufte.



