Kosova

Qeveria në detyrë miraton vendime për projektin e urës në Mitrovicë dhe shërbimet e ujit

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e saj të 266-të në formë elektronike, ku ka marrë disa vendime të rëndësishme në fushën e infrastrukturës dhe shërbimeve publike.

Në këtë mbledhje, është miratuar shqyrtimi i mëtejmë i kërkesës me vetiniciativë për shpronësimin e pronave të paluajtshme që nevojiten për realizimin e projektit infrastrukturor për ndërtimin e urës mbi lumin Ibër, që do të lidhë Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut. Ky projekt pritet të ketë ndikim të rëndësishëm në përmirësimin e qarkullimit dhe integrimin urban të qytetit të ndarë.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar caktimin e zonave të shërbimit për ofruesit e shërbimeve të ujit në Kosovë, një hap ky që synon rritjen e efikasitetit dhe menaxhimin më të mirë të resurseve ujore në nivel kombëtar.

Në këtë kuadër, është aprovuar edhe ndryshimi i statutit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica” Sh.A., në përputhje me vendimin e Bordit të Drejtorëve, duke synuar përmirësimin e strukturës dhe funksionalitetit të saj.

Vendimet e sotme përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të infrastrukturës dhe përmirësimit të shërbimeve publike për qytetarët e Kosovës.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button