Kosova

Qeveria heq tarifën doganore për produktet amerikane dhe merr vendime të tjera të rëndësishme

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur sot një mbledhje, në të cilën ka marrë disa vendime me rëndësi për zhvillimin ekonomik, kulturor dhe infrastrukturor të vendit.

Vendimi më i rëndësishëm i ditës ishte heqja e tarifës doganore për të gjitha produktet me origjinë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me këtë vendim, të gjitha mallrat që importohen nga ShBA-të do të hyjnë në Kosovë me tarifë 0%, duke reflektuar thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik me partnerin më të ngushtë strategjik të vendit.

Përveç kësaj, Qeveria ka marrë edhe këto vendime:

Rialokimi i 587,569 eurove për pesë projekte kapitale në komunat Vushtrri, Gjilan, Junik, Zubin Potok dhe Rahovec.

Emërimi i Këshillit Statistikor, me pjesëmarrës nga institucionet kryesore publike dhe akademike.

Emërimi i Hysen Muzliukajt si Drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike dhe Shemsi Duriqit si Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, të dy me mandat katërvjeçar.

Pezullimi i Besim Kamberajt, Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, ndaj të cilit është ngritur aktakuzë penale. Qeveria theksoi se pezullimi është detyrim ligjor.

Miratimi i katër projekteve kapitale shumëvjeçare të Ministrisë së Kulturës, përfshirë:

Rinovimi i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës,

Lokaliteti arkeologjik në Dresnik,

Rinovimi i Arkivit Shtetëror,

Rinovimi i Stadiumit të Podujevës.

Ndarja e mbi 296 mijë eurove për përmirësimin e menaxhimit të ujërave të zeza në Podujevë dhe Shtime.

Rialokimi i 3 milionë eurove për 28 projekte infrastrukturore në 16 komuna të vendit.

Ndarja e 40 mijë eurove si mbështetje për familjet e zjarrfikësve Sefadin Osmanaj dhe Kaqun Lima, që humbën jetën në krye të detyrës.

Miratimi i Raportit të Statistikave Zyrtare për vitin 2024 dhe Raportit Gjashtëmujor Financiar të Buxhetit për vitin 2025.

Qeveria theksoi se këto vendime janë pjesë e angazhimit për zhvillim të qëndrueshëm, përmirësim të jetës së qytetarëve dhe forcim të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button