Punimi shkencor i një studenteje kosovare zë vend në një nga revistat më prestigjioze të shkencës

Kanceri vazhdon të mbetet një nga shkaqet kryesore të vdekshmërisë në mbarë botën, por kërkimi shkencor nuk ndalet. Një arritje e veçantë në këtë fushë vjen nga një studente doktorature nga Kosova, Gresa Halimi-Syla, e cila ka publikuar punimin e saj shkencor në njërën nga revistat më të njohura ndërkombëtare për shkencë – ACS Publications.
Punimi mban titullin “Targeting Cancer with New Morpholine-Benzimidazole-Oxadiazole Derivatives: Synthesis” dhe paraqet një qasje të re për luftimin e kancerit, përmes projektimit, sintezës dhe vlerësimit biologjik të një serie përbërjesh të reja kimike me potencial antikancerogjen.
Në këtë studim, Halimi-Syla ka zhvilluar dhe testuar derivate të rinj të morfolinës, benzimidazolit dhe oksadiazolit, të cilët mund të shërbejnë si baza për ilaçe të reja në trajtimin e kancerit. Përveç eksperimenteve laboratorike, studimi përfshin edhe analiza të avancuara kompjuterike që vlerësojnë ndikimin dhe stabilitetin e këtyre molekulave në organizëm.
“Jam jashtëzakonisht krenare që kjo pjesë e punës sime të doktoraturës është publikuar në një revistë kaq të njohur ndërkombëtarisht,” ka deklaruar autorja, duke theksuar rëndësinë që ka përfaqësimi i shkencëtarëve të rinj nga Kosova në skenën globale të kërkimeve shkencore.
Ky sukses i Gresa Halimi-Sylës është një dëshmi e talentit dhe përkushtimit të shkencëtarëve të rinj shqiptarë dhe një frymëzim për gjeneratat e ardhshme që synojnë të japin kontribut në fushën e shkencës dhe mjekësisë.