Kosova
Kryesore

Punëtorët e sigurisë në QKUK hyjnë në grevë nga e premtja, kërkojnë zgjidhje për ndërprerjen e kontratave

Rreth 300 punëtorë të sigurisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) do të hyjnë në grevë të premten nga ora 10:00, pas dështimit të institucioneve për të zgjidhur çështjen e ndërprerjes së kontratave të tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Federatës Sindikale të Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, pas një takimi me drejtorin e QKUK-së, Osman Hajdari.

“Ne kemi shtjerrë të gjitha mundësitë dhe kemi dhënë prioritet dialogut. Problemi mund të zgjidhet brenda dy orësh ose maksimumi tri ditësh. Por sot jemi sërish në fazën zero, sepse secili po mundohet ta hedhë përgjegjësinë te pala tjetër,” tha Azemi për Ekonomia Online.

Ai shtoi se greva do të mbahet pavarësisht nëse autoritetet premtojnë zgjidhje të shpejtë. “Edhe po të na thonin se të hënën ktheheni në punë, ne nuk do të tërhiqemi. Greva nis nesër në ora 10:00”, deklaroi ai.

Sipas Azemit, zvarritja e procesit është rezultat i keqpërdorimeve dhe mungesës së vullnetit nga institucionet përgjegjëse. Ai përmendi se Komisionet Ekonomike janë duke u marrë me këtë çështje, por nuk ka asnjë afat konkret për zgjidhje.

“Topi bartet prej një institucioni te tjetri. KRPP thotë nuk është tek ne, OSHPE gjithashtu, drejtori i QKUK-së po thotë se nuk është problemi i tij dhe tash është bartur te SHSKUK-ja. Me pak vullnet, kjo çështje mund të zgjidhet brenda tri ditësh,” shtoi ai.

Edhe përfaqësues të tjerë të punëtorëve kanë shprehur mbështetjen për grevën.

Kryetari i Shoqatës së Sigurimit të QKUK-së, Hakif Syla, tha se punëtorët nuk do të ndalen pa marrë një vendim konkret dhe të garantuar. “Do të jemi në grevë derisa të kemi një dokument zyrtar që garanton kthimin në punë,” tha ai.

Ndërkohë, punëtori i sigurisë Xhemajl Bajrami deklaroi se situata ka prekur afro 300 punëtorë që kanë mbetur pa kontrata. “Prej kur është bërë privatizimi, janë rreth 280 deri në 300 punëtorë që marrin paga, përfshirë edhe bartës të emergjencës në emër të sigurisë,” tha Bajrami.

Në javët e kaluara, punëtorët e sigurisë kanë mbajtur disa protesta duke kërkuar kushte më të mira pune dhe rikthimin e menaxhimit të shërbimit të sigurisë nën autoritetin e QKUK-së.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button