Kosova

Punëtorët e sigurimit në QKUK nisin grevë nga sot, kërkojnë zgjidhje për kontratat e punës

Punëtorët e sigurimit fizik në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) kanë nisur sot grevën e paralajmëruar, për shkak të mungesës së një zgjidhjeje lidhur me vazhdimin e kontratave të tyre të punës.

Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës bëri të ditur se greva ka filluar sot, e premte, në orën 10:00, pasi pavarësisht shumë takimeve me drejtorin e QKUK-së, Osman Hajdari, nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete që do të mundësonte rikthimin në punë të punëtorëve të mbetur pa kontratë.

“Pas shumë takimeve dhe bisedimeve, sot u takuam përsëri me drejtorin e QKUK-së, z. Osman Hajdari. Në këtë takim shpresuam se do të merrnim një vendim ose zgjidhje për punëtorët e sigurimit fizik të QKUK-së, të cilët kanë mbetur pa punë. Megjithatë, as këtë herë nuk morëm asnjë garanci apo afat se kur do të bëhet nënshkrimi i kontratës për vazhdimin e punës”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Punëtorët kërkojnë që të rikthehen në vendet e tyre të punës dhe që të sigurohet vazhdimësia e kontratës, duke paralajmëruar se greva do të vazhdojë deri në një zgjidhje të qëndrueshme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button