Kosova

Punëtorët e ndërtimtarisë në rrezik nga temperaturat ekstreme – KMDLNj: Janë të pambrojtur dhe në mëshirën e punëdhënësve

Punëtorët në sektorin e ndërtimtarisë në Kosovë po përballen me rreziqe serioze për shëndetin dhe jetën e tyre për shkak të temperaturave ekstreme që kanë kapluar vendin ditët e fundit. Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), Behxhet Shala, ka ngritur alarmin për mungesën e kushteve minimale në vendet e punës dhe mosveprimin institucional ndaj kësaj situate alarmante.

Në një deklaratë për Ekonomia Online, Shala tha se mungesa e mbikëqyrjes nga institucionet përkatëse po çon në lëndime të rënda, invaliditet dhe raste fatale mes punëtorëve. Ai kritikoi policinë dhe prokurorinë që, sipas tij, po merren vetëm me pasojat, jo me parandalimin e tyre.

“Po punojnë në temperatura 36 deri 38 gradë, pa kushte minimale për sigurinë e tyre. Puna bëhet pa orar, pa masa mbrojtëse, edhe pse thuhet se janë blerë ato mjete. Por askush nuk kontrollon nëse ato përdoren. Është joserioze dhe rrezikshme”, deklaroi Shala.

Ai theksoi se punëtorët shpesh detyrohen të punojnë në këto kushte për të ruajtur vendin e punës që shpesh është burimi i vetëm i të ardhurave për familjen.

Një ndër problemet kryesore, sipas tij, është numri i vogël i inspektorëve të punës, që është larg i mjaftueshëm për të mbuluar të gjitha kantieret e ndërtimit në vend.

“Ka aq shumë ndërtime, saqë edhe nëse do të çohej një armatë e tërë inspektorësh, sërish nuk do të mjaftonin. Me një numër simbolik të inspektorëve është e pamundur të garantohet siguria në punë”, u shpreh ai.

KMDLNj ka propozuar edhe krijimin urgjent të një fondi të veçantë për kompensimin e familjeve të viktimave apo atyre që mbesin me pasoja të përhershme nga aksidentet në punë.

“Deri tani nuk është vepruar. Ka ndihma sporadike nga punëdhënësit, por asgjë e organizuar apo e qëndrueshme. Në këtë situatë, punëtorët janë të pambrojtur dhe të lënë në mëshirën e punëdhënësve dhe të motit, qoftë i nxehtë, qoftë i ftohtë”, përfundoi Shala.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button