Punëtorët e KOSTT-it protestojnë sot për rritje pagash

Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të KOSTT-it ka njoftuar se sot, duke filluar nga ora 10:00, do të organizojë një protestë paqësore para ndërtesës së KOSTT-it në Prishtinë.
Sipas njoftimit të sindikatës, qëllimi i protestës është kërkesa për rritje të pagave, të cilën e konsiderojnë legjitime përballë rritjes së vazhdueshme të kostos së jetesës dhe kontributit të vazhdueshëm të punëtorëve në mirëmbajtjen dhe funksionimin e sistemit energjetik të vendit.
“Punëtorët tanë luajnë një rol kyç në sigurinë dhe stabilitetin energjetik të Kosovës. Megjithatë, pagat e tyre nuk reflektojnë vlerën reale të punës që bëjnë, sidomos në këtë periudhë të vështirë ekonomike”, thuhet në njoftimin e Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të KOSTT-it.
Protesta pritet të zgjasë disa orë dhe organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive, duke theksuar se ajo do të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe demokratike.