Punëtor humb jetën në aeroportin e Vlorës, arrestohet administratori i firmës së ndërtimit

Një ngjarje e rëndë është shënuar ditën e djeshme në Vlorë, ku një punëtor ka humbur jetën në vendin e tij të punës, brenda terminalit të aeroportit që po ndërtohet në zonën e Akërnisë. Viktima është shtetasi D. H., 38 vjeç, i cili dyshohet se ka humbur jetën si pasojë e rrëzimit nga lartësia.
Menjëherë pas ngjarjes, Policia e Vlorës ka nisur hetimet dhe ka arrestuar në flagrancë administratorin e firmës së ndërtimit, shtetasin D. N., 45 vjeç, banues në Tiranë. Ai akuzohet për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Gjithashtu, është marrë në hetim edhe përgjegjësi i punimeve, shtetasi U. S., 41 vjeç, po ashtu banues në Tiranë. Sipas hetimeve paraprake, të dy këta shtetas dyshohet se kanë shkelur detyrimet ligjore për zbatimin e masave të sigurisë teknike në vendin e punës, çka ka sjellë si pasojë vdekjen tragjike të punëtorit.
Materialet procedurale i janë kaluar tashmë Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.