Publikohet lista e Qendrave të Votimit për Zgjedhjet Lokale në Kosovë më 12 tetor 2025

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se është publikuar lista zyrtare e Qendrave të Votimit për zgjedhjet lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas vendimit të KQZ-së, në 38 komunat e Republikës së Kosovës janë caktuar gjithsej 945 Qendra Votimi. Nga këto, 907 do të përdoren për votimin e rregullt, ndërsa 38 të tjera, nga një për çdo komunë, do të jenë të dedikuara për votimin me kusht.
Lista e plotë e Qendrave të Votimit është publikuar në faqen zyrtare të KQZ-së, nën seksionin “Shërbimet për Votuesit” në kategorinë “Qendrat e Votimit”. Qytetarët mund ta shikojnë listën edhe përmes linkut direkt:
https://kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/qendrat-e-votimit/
Përveç kësaj, çdo votues me të drejtë vote në Kosovë mund ta kontrollojë qendrën e tij të votimit përmes platformës elektronike në adresën:
https://qv.kqz-ks.org
Gjithashtu, përmes kësaj platforme, qytetarët mund të ndryshojnë qendrën e tyre të votimit deri më 29 gusht 2025, duke e zgjedhur atë më afër vendbanimit të tyre.