KryesoreLajme

PSD mohon përfshirjen në krime zgjedhore dhe ripërsërit mbështetjen për institucionet e drejtësisë

PSD ka ripërsëritur mbështetjen e saj të plotë për institucionet e drejtësisë, duke nënvizuar rolin që ka luajtur vetë në nxitjen e hetimeve për krime zgjedhore.
Partia Socialdemokrate e Shqipërisë ka reaguar me një deklaratë për shtyp pas publikimit të disa lajmeve në media, ku pretendohej për përfshirjen e anëtarëve të kësaj force politike në veriun e vendit në veprimtari të paligjshme gjatë procesit zgjedhor.

Në një qëndrim zyrtar të shpërndarë për mediat, PSD-ja i ka cilësuar këto raportime si “dizinformim i qëllimtë dhe dashakeqës”, duke i hedhur poshtë.

“Lajmet janë të pavërteta dhe spekulative; janë sulme të drejtpërdrejta ndaj PSD-së, pasi asnjë nga anëtarët tanë nuk është përfshirë në krime zgjedhore,” thuhet në deklaratën e PSD-së. Më tej, partia thekson se “nuk ka patur prezencë të policisë dhe as BKH-së në asnjë shtab, në asnjë zyrë elektorale. Këto janë shpifje monstruoze dhe të papranueshme.”-thuhet në deklaratë.
PSD ka ripërsëritur mbështetjen e saj të plotë për institucionet e drejtësisë, duke nënvizuar rolin që ka luajtur vetë në nxitjen e hetimeve për krime zgjedhore.

“Ne mbështesim SPAK-un në mënyrë të padiskutueshme, madje kemi bërë deklarata të shpeshta si dhe thirrje për SPAK-un dhe GJKKO-në që të hetojnë çdo krim zgjedhor,” thekson partia në deklaratë.

Sipas PSD-së, ata kanë kërkuar që autoritetet të marrin seriozisht çdo ankesë të qytetarëve, veçanërisht në Qarkun e Shkodrës.

“PSD-ja ka kërkuar ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve përkatëse që të marrin seriozisht ankesat e qytetarëve në Qarkun e Shkodrës dhe të hetojnë fuqimisht çdo shkelje të ligjit në drejtim të krimeve zgjedhore.”-thuhet në deklaratë.

Deklarata bën të ditur gjithashtu se i vetmi person i kësaj partie që i është kryer një kontroll banese është kryetari i PSD-së për Malësinë e Madhe, Ardian Hysa.

“Sipas procesverbalit të lëshuar nga SPAK-u, rezulton se nuk është gjetur asgjë e paligjshme në banesën dhe mjedisin e tij të punës. Z. Hysa është treguar bashkëpunues dhe ka shprehur gadishmërinë e tij për të qenë në dispozicion të organeve ligjzbatuese,” -thuhet më tej.

Deklaratës i është bashkëngjitur edhe procesverbali zyrtar i SPAK-ut që konfirmon se nuk janë konstatuar elementë të paligjshëm në ambientet e kontrolluara.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button