Lajme

PS drejt fitores së thellë: 83 mandate deri tani, rënie e fortë për PD dhe aleatët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin në 99.8% të qendrave të votimit brenda vendit, ndërsa procesi është drejt përmbylljes edhe për votat e diasporës. Deri tani, Partia Socialiste (PS) kryeson bindshëm me 52.27% të votave në total, duke siguruar 83 mandate, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së.

Votat brenda vendit i japin PS-së 52.17% të mbështetjes, ndërsa nga diaspora – prej të cilës është numëruar gjysma – kjo forcë politike ka marrë 54.24%.

PD me rënie të fortë, 50 mandate në total

Koalicioni “Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, i përbërë nga PD dhe 25 parti të tjera përfshirë edhe Partinë e Lirisë, ka marrë 34.26% të votave brenda vendit dhe 28.38% të votave nga diaspora. Në total, ky koalicion ka siguruar 50 mandate, një rënie e ndjeshme krahasuar me vitin 2021, kur kishte 59 mandate.

Në krahasim me zgjedhjet e mëparshme, koalicioni ka humbur rreth 140 mijë vota, duke zbritur nga 622 mijë në vitin 2021 në 482 mijë vota këtë vit – një rënie prej 22%.

PS ruan bazën elektorale mes rënies së pjesëmarrjes

Edhe pse numri i pjesëmarrësve në zgjedhje ka rënë me rreth 200 mijë votues (nga 1.66 milionë në 2021 në 1.46 milionë në 2025), PS ka ruajtur një bazë solide elektorale. Kjo forcë politike ka marrë rreth 733 mijë vota, vetëm 35 mijë më pak se në 2021. Falë sistemit të ri proporcional rajonal, PS përfiton më shumë mandate sesa në zgjedhjet e kaluara, ku kishte 74.

Partitë e reja dhe të vogla: surpriza dhe kufizime

Partia Social Demokrate (PSD) mbetet forca e tretë me 3 mandate dhe rreth 48 mijë vota – një rritje me 33%, por pa ndikim në numrin e mandateve.

Partia Mundësia, themeluar nga Agron Shehaj, ka hyrë fuqishëm në Kuvend me mbi 43 mijë vota dhe dy mandate në qarkun e Tiranës.

Nisma Shqipëria Bëhet, trashëgimtare e Nismës Thurje, ka pesëfishuar votat nga 10 mijë në 50 mijë, por ka arritur të marrë vetëm një mandat për shkak të shpërndarjes së votave në të gjitha qarqet.

Lëvizja Bashkë, e drejtuar nga Arlind Qorri, ka marrë 20.2 mijë vota dhe një mandat.

Koalicioni Euroatlantik, partia e re e Lulzim Bashës, nuk ka arritur të sigurojë mandate, pavarësisht 19 mijë votave të fituara.

Vota të pavlefshme dhe pjesëmarrja

Në këto zgjedhje janë regjistruar rreth 55.400 vota të pavlefshme, një rënie me 33% krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, kur kishte 83 mijë vota të tilla. Sipas analizës së Eurostat dhe të dhënave zyrtare, rënia e pjesëmarrjes në votime lidhet kryesisht me emigracionin, me një mesatare prej 50 mijë largimesh në vit.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button