Prokuroria Speciale kërkon urdhër-arrest për Goran Rakiqin

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës lëshimin e një urdhër-arresti ndaj ish-kryetarit të Listës Serbe, Goran Rakiq.
Kërkesa është konfirmuar për Reporteri.net nga zëdhënësja e Prokurorisë, Nora Luta, e cila tha se Rakiq është ftuar tri herë për t’u paraqitur, por nuk ka shkuar. Fillimisht ai e kishte arsyetuar mungesën me probleme shëndetësore, ndërsa për dy ftesat e tjera nuk kishte dhënë ndonjë shpjegim.
Rasti lidhet me vendosjen e barrikadave në pjesën veriore të Kosovës gjatë vitit 2022, kur Rakiq ishte deputet i Kuvendit të Kosovës.
“Me qëllim të sigurimit të prezencës së G.R, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka parashtruar kërkesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës për lëshimin e urdhër-arrestit ndaj tij”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Ndërkohë, nga kjo Prokurori kanë bërë të ditur se tashmë ka përfunduar intervistimi i të pandehurve Zllatan Ellek, Igor Simiq dhe Sllavko Simiq.