
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore të Prishtinës ndaj ish-zyrtares së OSBE-së, J.GJ., e cila dyshohet për veprën penale të spiunazhit.
J.GJ. u arrestua më 28 shkurt 2025 në pikën kufitare të Jarinjës, me urdhër të Prokurorisë Speciale. Sipas aktakuzës, ajo, në cilësinë e zyrtares së Programit Kombëtar në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, dyshohet se ka kryer veprime të përsëritura që përbëjnë ndihmë aktive për shërbimin sekret serb, konkretisht për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Prokuroria ka bërë të ditur se e pandehura ka siguruar dhe shpërndarë dokumente e informacione të ndjeshme për interes të BIA-s, duke cenuar rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare të Kosovës, si dhe duke vënë në rrezik jetën e zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve dhe personelit ndërkombëtar.
Hetimet kanë zbuluar se informacionet e siguruara nga ajo janë transmetuar tek zyrtarë të lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës për rajonin e Novi Pazarit, dhe L.B., me të cilin e pandehura raportohet se është takuar disa herë në Beograd.
Në këtë proces, Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit dhe shpalljen fajtore të të pandehurës, duke propozuar shqiptimin e dënimit në përputhje me ligjet në fuqi.